Kazinotë elektronike – Rama: Procedurë e përshpejtuar parlamentare, do të lejohen vetëm në hotelet/resortet me 5 yje
Bastet dhe kazinotë elektronike nuk do të spostohen në periferi, por do të operojnë vetëm në hotelet dhe resortet me 5 yje. Kështu është shprehur kryeministri, Edi Rama, gjatë seancës plenare të së enjtes, ndërsa ka i ka kërkuar kryetari të parlamentit procedurë parlamentare të përshpejtuar.
“Kërkoj që projektligji për ndalimin e basteve dhe kazinove elektronike të hyjë sa më shpejt në seancë dhe të marrë fund edhe agresioni i turpshëm i llumit nëpër portale e përmes SMS-ve të orkestruara nga burgu, që u shkojnë deputetëve.”
Ndërkohë, ka shtuar më tej se nuk do të bëhet asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër.
“Më 1 janar, do ta sanksionojmë këtu në parlament se nuk ka më asnjë lloj basti dhe kazinoje elektronike në asnjë zonë të banuar. Nuk ka asnjë spostim në periferi. Kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet dhe resortet me 5 yje dhe zonat do të jenë të definuara me vendim të qeverisë në zona turistike. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër”, është shprehur kryeministri.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.