KE publikon raportin për ekonominë shqiptare / “Rimëkëmbja u mbështet nga rritja e investimeve dhe eksporteve”
Komisioni Evropian ka publikuar raportin ekonomik për vendet kandidatë për tremujorin e dytë të këtij viti, ku thekson se Prodhimi i Brendshëm Bruto i rajonit u rrit me një mesatare prej 1.7% në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me një tkurrje prej 0.9% në tremujorin paraardhës. Sipas Komisionit, rimëkëmbja u mbështet nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri dhe në Serbi. Megjithatë, pavarësisht se shumica e ekonomive shfaqen shenja të rimëkëmbjes, papunësia vijon të jetë e lartë, që varion nga 12.6% në Shqipëri deri në 27% në Kosovë. Për sa i përket ekonomisë shqiptare, Komisioni Europian thekson faktin se ringritja filloi që në tremujorin e katërt të vitit 2020 me një zgjerim prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe me 5.5% në tremujorin e parë të këtij viti. Rritja e shpenzimeve qeveritare me 5.2% dhe veçanërisht rritja e fortë e investimeve dhe eksporteve të mallrave me 21.1% dhe 33% respektivisht mbështetën rritjen ekonomike, ndërkohë që konsumi ishte modest me një rritje prej 1.5%. Përsa i përket sektorit financiar, Komisioni thotë se rritja e kredisë së përgjithshme për ekonominë u rrit në prill dhe maj në 6.3% në terma vjetorë, pas një ngadalësimi në 4.6% në tremujorin e parë. Kredia në lekë kontribuoi më shumë në rimëkëmbjen e huadhënies, ndërkohë që kredia në valutë të huaj vazhdoi rënien e lehtë duke prekur 48.8% të totalit të kredisë në muajin prill të këtij viti, krahasuar me 50.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër zhvillimet fiskale, Komisioni Europian përmend se në pesë muajt e parë të këtij viti, të ardhurat e qeverisë shqiptare u rritën me 2.1% krahasuar me një vit më parë. Në anën tjetër, edhe shpenzimet qeveritare u rritën me 1.2%, gjatë së njëjtës periudhë, pavarësisht uljes së ndjeshme të shpenzimeve kapitale, transfertave ndaj institucioneve të tjera dhe shpenzimeve qeveritare për mallra dhe shërbime.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.