Kinemaja nën masat anticovid – Protokolli/ Rezevimi i biletës bëhet vetëm online, distancë 1.5 dhe maskë me detyrim
Nëse keni temperaturë mbi 37.5 ºC nuk do të lejoheni të hyni në kinema, ndërkohë që distanca në sallën e shfaqjes së filamve do të jetë 1.5 m nga njëri-tjetri. Këto janë dy prej rregullave të reja, që parashikohen në protokollin e sigurisë të miratuar nga Instituti i Shëndetiti Publik, duke mundësuar hapjen e këtij aktiviteti që deri më tani ishte i mbyllur. Në funksion të ruajtjes së distancës karriget që nuk duhet të përdoren do të shënohen me shenja dalluese, ndërkohë që shfaqjet do të kryhen me një interval pushimi jo më pak se 15 minuta nga njëra-tjetra për të lejuar pastrimin e duhur, ajrosjen dhe për të parandaluar përplasjen e klientëve që hyjnë apo dalin.
Mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës së shfaqjes së filmit është detyrim e në rast shkelje dënohet edhe me gjobë 3000 lekë dhe 5000 lekë në rast përsëritjeje. Po kështu, protokolli i ISHP-së kërkon rezervimin online të biletave dhe kufizimin e grumbullimeve në zonën e pritjes, për të ruajtur distancimin fizik. Ndërkaq, administratiorët e këtyre subjekteve duhet të kryejnë higjienizimin e karrigeve dhe krahëve të tyre, në raport me numrin dhe oraret e shfaqjeve, ndërkohë që për të evituar grumbullimet do të duhet të vendoset staf shtesë që do të monitorojë situatën.
Kinematë dhe ambientet e brendshme të bareve ishin 2 prej aktivitetete, që qëndronin të mbyllur që prej muajit mars, kur në vendin tonë u shënuan rastet e para me COVID-19. Ndërkohë që, hapja e tyre vjen në një kohë kur numri it ë prekurve nga infeksioni ka tenencë në rritje.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.