Dy optikat e buxhetit 2016 – KLSH dhe Financat me dy variante në Kuvend
Shpenzimi i fondeve publike gjatë vitit të shkuar është diskutuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.
Kanë qenë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, të cilët kanë paraqitur dy opsionet e tyre para deputetëve.
Sipas kreut të KLSH, Leskaj buxheti 2016 në gjithë ecurinë e tij ka respektuar të gjitha afatet ligjore, ndërkohë që janë vërejtur edhe shkelje në shpenzime dhe mosrealizim të tyre.
“Treguesit fiskale nuk cenojnë prioritetet dhe zbatueshmërinë e tij. Rekomandime mbi buxhetin, të ardhurat dhe shpenzimet me pak…u ndryshua me akte normative çka tregon se te ardhurat janë parashikuara, janë me optimiste se duhej. Rekomandim për këshillin fiskal, që të mbikëqyrë stabilitetin fiskal. Shpenzimet janë realizuar 95 për qind. Mosrealizim kanë ato për pushtetin vendor dhe mosrealizimi për vendimet gjyqësore. Shpenzimet kapitale janë realizuar, por janë më të ulëtat në 6 vitet e fundit, dhe janë realizuar më shumë në muajin dhjetor”.
Ndërkohë Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ahmetaj u shpreh se buxheti 2016 pati një konsolidim fiskal. Sipas tij, u rritën treguesit ekonomik dhe shifrat tregojnë se 4.9 për qind e PBB ishin investime publike.
“Buxheti 2016 pati një konsolidim fiskal. U rritën treguesit ekonomik dhe shifrat tregojnë se 4.9 për qind e PBB ishin investime kapitale”.
Gjatë këtij raportimi ka patur dhe një deklaratë të deputetes së PD, Jorida Tabaku e cila theksoi se miliarda euro qarkulluan jashtë ekonomisë formale si pasojë e drogës. Grupi i deputetëve të Partia Demokratike më pas është larguar nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.