Kompensimi, fatura 160 milionë dollarë për tre vitet e ardhshme!
Nga Lorenc Rabeta
Për tre vjeçarin e ardhshëm, Këshilli i Ministrave ka parashikuar një fond total prej 160 milionë dollarë për kompensimin financiar të pronarëve.
‘SCAN Magazine’ ka zbardhur tavanet buxhetore të dikastereve për periudhën 2020-2022, ku përcaktohet se nga buxheti për secilin nga këto tre vite do të përdoren 5.4 miliardë lekë për këtë qëllim, për një total prej rreth 16 miliardë lekësh.
Shifra është shumë e ulët, duke qenë se Agjencia e Pronës nga 23 shkurti ka përfunduar procesin e vlerësimit të faturës financiare për kthimin-kompensimin.
E drejta për të paditur ATP
Pas kësaj date, çdo pronari që ka pretendime me vlerësimet e bëra nga ATP i ka lindur e drejta t’i drejtohet gjykatave për të ankimuar vlerësimet për njohje, kthim apo kompensim nga ky institucion. Vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar në faqen e saj zyrtare edhe kërkesën tip që duhet të plotësojnë pronarët për të marrë dokumentacionin përkatës i cili mund të përdoret më pas për ankimimet në gjykata.
Deri më tani, pronarët pengoheshin me ligj t’i drejtoheshin gjykatëve për vendimet e ATP-së, gjë që pritet të rrisë ndjeshëm edhe numrin e padive të tyre ndaj agjencisë, në vijim. Një numër shumë i madh dosjesh që gjenden aktualisht nëpër gjykata, bashkë me paditë e reja që pritet të jenë të shumta, e bëjnë shumë të ulët fondin prej 160 milionë dollarësh në tre vite.
Rriten paditë për çështje pronësie
Në vitin 2016 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Administrative arrin në 1,595.
Në vitin 2016 numri i padive të pronësisë është 213 çështje më shumë se në vitin 2015. Në vitin 2016 nga të gjitha Gjykatat e Shkallës së Parë janë shqyrtuar 596 padi pronësie më shumë në krahasim me vitin 2014. Në krahasim me vitin 2013 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara është 6931 padi më shumë për vitin 2016.
Në krahasim me vitin 2012 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara është 674 padi më shumë për vitin 2015. Në vitin 2017 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Administrative arrin në 1,911 çështje të përfunduara. Në vitin 2017 numri i padive të pronësisë është 316 çështje më shumë se në vitin 2016.
Në vitin 2017 nga të gjitha Gjykatat e Shkallës së Parë janë shqyrtuar 529 padi pronësie më shumë në krahasim me vitin 2015. Në krahasim me vitin 2014 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara është 916 padi më shumë për vitin 2017. Në krahasim me vitin 2013 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara është 1,009 padi më shumë për vitin 2017.
Ngërçi i Gjykatës së Lartë
Ngërçi i plotë në të cilin janë zhytur gjykatat kryesore në vend penalizon veçanërisht kategorinë e pronarëve. Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2018, ka arritur në 427 numri i ankimimeve në gjykata nga pronarët ndaj vendimeve të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare të kësaj Agjencie, viti 2017 është mbyllur me një total prej 856 padish kundër saj rezultonin të depozituara në gjykatat e shkallëve të para si dhe në apelet administrative. Volumi i madh i padive ka vijuar edhe gjatë muajve të deritanishëm.
Rreth 300 padi kanë përfunduar në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që disa dhjetëra janë paraqitur nëpër Gjykatat Administrative. Ajo që i ul ndjeshëm pritshëmritë e pronarëve për të gjetur zgjidhje në dyert e gjyqësorit është veçanërisht ngërçi i plotë i Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që numri i çështjeve në pritje të shqyrtimit nga kjo gjykatë i ka kaluar 30 mijë, numër që pritet të shtohet duke qenë se nuk ka asnjë sinjal që plotësimi i saj me anëtarë do të ndodhë së shpejti.
Gjykata e Lartë numëron aktualisht vetëm 3 anëtarë nga 19, të cilët alternohen për të krijuar trupa të nevojshme për të zgjidhur vetëm çështjet emergjente me afat. Ndërkohë që ekspertë të ndryshëm thonë se plotësimi i saj me anëtarë mund të kërkojë edhe dy vjet të tjerë.
Qarqet me më shumë probleme
Qarku Vlorë konkretisht rrethi Sarandë e Delvinë kanë problematika në marrjen e vërtetimeve kadastrale dhe hipotekore pranë organeve përkatëse për shkak se në këtë rreth ZVRPP Sarandë është djegur në vitin 1997, ndërsa zyra e kadastrës Sarandë është vjedhur në vitin 2009.
Qarku Fier duke përfshire dhe rrethin Mallakastër kanë të njëjtën problematikë në lidhje me marrjen e dokumentacionit të vjeter ligjor pasi ZVRPP e Fierit po ashtu është djegur në vitin 1997. Qarku Gjirokastër përfshirë edhe Tepelenën ka një problem të ngjashëm pasi ZVRPP Gjirokastër nuk jep informacion.
Në të tre qarqet procesi i azhurnimit për regjistrimin e pronës në hipotekë nuk ka përfunduar, duke sjellë kështu mungesë informacioni për statusin juridik të pronës së pretenduar si dhe mosplotësimin e dokumentacionit hartografik nga qytetarët.
Për sa i përket problematikave të hasura nga ana e subjekteve për marrjen e dokumentacionit për qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan situata është si më poshte: Qarku Tiranë, subjektet përcjellin fragmente harte apo dokumentacionin hipotekar nga ZVRPP pa vulën njehsuese lidhëse.
Për të gjitha qarqet, vërtetimet në lidhje me përfitimin nga ligji nr. 7501 “Për tokën” lëshuar nga ZVRPP apo drejtoria e administrimit dhe mbrojtjes së tokës (DAMT), nuk japin informacionin e duhur, sidomos për sa i përket vendndodhjes së pronës së përfituar e cila do shërbejë për zbatimin e ligjit 133/2015 në lidhje me zbritjen e vlerës së fituar.
Për Qarkun Dibër dhe qytetin e Librazhdit subjektet depozitojnë dokumentacion ligjor të viteve 1947 apo 1950- 1952, gjë e cila na flet pas reformës agrare. Kjo ka sjellë shqetësim te subjektet duke qenë se nuk arrijnë të gjejnë dokumente të tjerë ligjore për pretendimin e depozituar për trajtim në ATP.
Qarku Dibër dhe ai Elbasan, subjektet në shumicën e rasteve nuk arrijnë të marrin fragmente harte nga ZVRPP përkatëse, pasi këto zona nuk janë të hedhura në sistemin e ZVRPP-së, si pasojë ka pengesë si për subjektin kërkues dhe për ATP në marrjen e konfirmimeve.
Për sa i përket problematikave të hasura nga ana e subjekteve për marrjen e dokumentacionit për qarqet Durrës, Korçë, Berat, në rastet kur prona është në bashkëpronësi kërkohet të trajtohet për njërin bashkëpronar sipas rastit, pasi për bashkëpronarët e tjerë nuk mund të sigurojnë informacion apo dokumentacion.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.