Koncesioni i Aeroportit të Kukësit/Kontrata hyn në fuqi, hapet rruga për nisjen e punimeve
Hyn në fuqi kontrata koncesionare e Aeroportit të Kukësit, duke i hapur rrugë vënies në funksion të kësaj vepre aeroportuale.
Dokumenti u miratua nga Këshilli i Ministrave në 20 mars të këtij viti, ndërkohë që tashmë ai është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare. Përmbajtja e kontratës nuk është publikuar ende, por sikurse është deklaruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku parashikohet që aeroporti të vihet në funksion brenda 24 muajsh.
Kontrata e konçesionit ka një kohëzgjatje prej 35 vitesh, ndërsa vlera e investimit arrin në rreth 8 mln euro.
Nisja e punimeve në këtë vepër pritet të ketë një impakt për punësimin në zonë, duke qenë se sipas Ballukut fillimisht parashikohet punësimi i 220 vetëve, ndërsa parashikimet janë që në total ky numër të shkojë në 12 mijë.
Ndërkaq, operimi i këtij aeroporti pritet të sjellë edhe çmime më të ulëta për biletat ajrore, duke qenë se ai do të operohet nga kompani low-cost.
Aeroporti i Kukësit iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare në vitin 2006, por që prej asaj kohe kohe nga ky aeroport nuk është realizuar asnjë fluturim.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.