Koncesioni i check up-it, në SPAK – PD ngre 7 akuza, nga korrupsioni tek shpërdorimi i detyrës
Partia Demokratike i është rikthyer sërish ndjekjes së çështjes për koncesionin e check up-it duke dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, një kallëzim penal. Ndërsa e konsideron atë si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, Vilma Nushi.
Ata ngarkohen me 7 akuza, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm. Kallëzimi penal ka argumentuar me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.
Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Ndërsa vihet në dukje, se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.