KQZ auditon fondet e partive- Apel kontabilisteve qe te aplikojnë!
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të auditojë partitë politike për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
‘’Bazuar në rëndësinë e veçantë të transaprencës së fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, i bëjmë apel ekspertëve kontabël të licensuar dhe ekspertëve financiarë, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së brenda datës 6 Maj, për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor. Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël të licensuar dhe ekspertët financiarë, KQZ në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Partitë politike, i ndryshuar, do të emërojë me short, një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiar për të monitoruar fushatën zgjedhore dhe ekspertësh kontabel të licensuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara për zgjedhjet e 2019.’’- ka deklaruar zëdhënësja e KQZ-së.
Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Institutit të Eksperteve Kontabel të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet, të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimet e KQZ-së, të cilat mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit.
Ndër të tjera, ekspertët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së kërkesën e aplikimit dhe deklaratën e nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.