Kredi për bizneset – Bankat po vendosin më shumë fokus te SME-të
Sektori bankar po shfaq një fokus në rritje te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas analizës së tendencave në kreditim për tremujorin e parë, të kryer nga banka e Shqipërisë, kredia për SME-të u rrit me katër miliardë lekë në tremujorin e parë të këtij viti. Ky ishte njëkohësisht edhe segmenti me ecurinë më të mirë në kreditimin e ndërmarrjeve. Në total, kredia për biznese është rritur me 1.3 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2020. Kjo rritje është rezultante e një dinamike të luhatshme: pasi u tkurr ndjeshëm në muajin janar, kredia për biznese u rrit në muajin shkurt, për të rënë përsëri në muajin mars.
Këto luhatje janë përkthyer në një rritje vjetore mesatarisht prej 6.8%, ose rreth 1.2 pikë përqindje më e ulët se rritja në tremujorin e fundit të vitit 2019. Në raport ndaj PBB-së, kredia për biznese shënoi rritje në 25.1%. Megjithatë, rritja në terma realë ka ardhur qoftë si rezultat i mbiçmimit të euros në kursin e këmbimit, ashtu edhe për shkak të uljes së projeksioneve për rritjen e PBB-së.
Sipas madhësisë së bizneseve, vihet re se rritja e tremujorit të parë ka ardhur pikërisht nga SME-të dhe kjo ka kompensuar tkurrjen e portofolit të kredisë për biznesin e madh. Reduktimi i portofolit të kredisë për biznesin e madh, ka ardhur si pasojë e rënies së kredive të reja të disbursuara për këtë segment (me rreth 15%) dhe përdorimit të fondeve të veta për kapital qarkullues gjatë muajit mars, e ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia Covid-19.
Të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues tregojnë se situata ekonomike e krijuar pas përhapjes së COVID-19 në fillim të muajit mars ka ndikuar në rënien e forte të kërkesës për kredi, si nga bizneset e mëdha ashtu edhe ato të mesme e të vogla. Paralelisht bankat kanë shtrënguar standardet për të dy kategoritë e bizneseve, por më e dukshme ajo ka qenë për SME-të, si segmenti që është më shumë i ekspozuar nga marrja e masave për mbylljen e aktivitetit ekonomik nga qeveria. Reduktimi i depozitave të bizneseve për muajin mars, tregon se bizneset kanë përdorur fondet e tyre rezervë, për të përmbushur nevojat për likuiditet, duke marrë edhe më pak kredi në banka.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.