Kredia frenoi në prill – Nuk ndjek rritjen e tremujorit të parë
Kredia për ekonominë frenoi gjatë muajit prill, pasi kishte dhënë sinjale mjaft pozitive në tremujorin e parë të vitit.
Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë arriti në 545.8 miliardë lekë, në rënie me rreth 1.5 miliardë që nga marsi. Kredia është në vlera të përafërta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti dhe portofoli, për nga përmasat, ngelet në gjendje stanjacioni.
Për muajin prill, kredia pësoi rënie të lehtë si në segmentin e biznesit, ashtu edhe në atë të individëve.
Të mërkurën Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare zhvilluan një takim, për të diskutuar rreth gjetjes së mënyrave për të rritur huadhënien dhe kontributin e bankave në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithëse, siç u shpreh Guvernatori Sejko, perceptimi që bankat nuk japin kredi është i gabuar, shtrohet nevoja që ato të shfaqen më aktive në huadhënie. Fakti që afro një e treta e huasë për ekonominë jepet me afat maturimi deri në një vit, shtron nevojën që kredia të rinovohet shpesh.
Kjo e bën të vështirë rritjen e qëndrueshme të portofolit të kredisë, megjithatë të dhënat e viteve të fundit tregojnë se bankat kanë rritur kredidhënien me afate të mesme dhe të gjata maturimi. Në fund të tremujorit të parë të vitit, kredia afatmesme ishte në rritje me 13% dhe ajo afatgjatë në rritje me 3%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.