Kredia nga jo-bankat – U rrit me 18.3% për vitin 2018
Kredia nga institucionet financiare jobanka u rrit me ritme të larta vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2018, portofoli i kredisë bruto arriti në 28.6 mld lekë, në rritje me 18.3% krahasuar me vitin paraardhës. Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së subjekteve financiare jobanka mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë, me 75% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur është portofol i shoqërive të qirasë financiare dhe faktoringut.
Portofoli i kredisë së subjekteve financiare jobanka arriti në 4.9% të totalit të kredisë së sistemit bankar, me një rritje prej 0.8 pikë përqindjeje krahasuar me vitin paraardhës. Gjatë vitit 2018, aktiviteti i subjekteve financiare jobanka mbeti i orientuar drejt financimit të bizneseve, përkatësisht me 80% e portofolit për veprimtarinë e kredidhënies dhe 85% për veprimtarinë e qirasë financiare. Sektorët më të financuar janë “Tregtia” me 24%, “Pronat e Patundshme dhe Ndërtimi” me 11% dhe “Bujqësia” me 12%.
Treguesi i kredive me probleme, gjatë vitit 2018, ka rënë në 9.2%, afro tre pikë përqindje më pak krahasuar me fundin e vitit 2017. Ndikimi kryesor në reduktimin e këtij raporti erdhi nga rritja e portofolit të kredisë, por edhe vetë vlera e kredive me probleme ra me rreth 8.5%.
Gjatë vitit 2018, subjektet financiare jobanka kanë gjeneruar një fitim prej 1.7 miliardë lekësh, në rritje me afro 28% krahasuar me vitin 2017. Kontributin kryesor e dhanë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.