Kryeministri anulon urdhrin e Ministrit të Drejtësisë: Dorëheqjet nuk mund të refuzohen
Kryeministri Edi Rama ka anuluar urdhrin e Ministrit të Drejtësisë Gazment Bardhi, i cili pak orë më parë bëri publik vendimin e ndërmjetëm për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së 14 regjistruesve të ZVRPP-ve.
Nëpërmjet një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit thuhet se “shefi i qeverisë e ka anuluar urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, duke bërë të qartë se dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i Ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë. Nëse nga hetimi administrativ do të verifikohen shkelje të ligjit, regjistruesit që i kanë bërë këto shkelje duhet të shkojnë përpara drejtësisë.”
Askush nuk mund të shkel Kodin e Sjelljes, të miratuar me VKM të qeverisë shqiptare, thuhet në njoftim.
“Qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkele këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre, po një skuadër që drejtohet nga Kryeministri dhe funksionon mbi bazën e parimit të thjeshtë të aprovimit paraprak nga Kryeministri, të veprimeve administrative apo komunikimeve të ministrave me publikun”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.