Kursi i këmbimit- Forcimi i lekut me partnerët tregtarë po ngadalësohet
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se leku u forcua në tremujorin e dytë kundrejt monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. Leku është forcuar mesatarisht me 2% kundrejt tremujorit të parë të vitit.
Kursi nominal efektiv i këmbimit llogaritet kundrejt monedhave të pesë partnerëve tregtarë kryesorë Itali, Greqi, Gjermani, Turqi dhe Kinë, duke përdorur peshat përkatëse në tregti.
Krahasuar me vitin e kaluar, mbiçmimi i lekut ka vijuar zbutjen graduale të nisur që prej fillimit të vitit. Në muajin qershor, ndryshimi vjetor i këtij treguesi shënoi 5.7%, nga 10.2% që shënonte në fund të vitit të kaluar.
Trajektore të ngjashme ka shfaqur edhe kursi real i këmbimit: mbiçmimi real i lekut në terma vjetorë rezultoi 4.5% në fund të tremujorit të dytë, duke u përgjysmuar krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Kursi real efektiv i këmbimit llogaritet duke faktorizuar edhe ndryshimin në normat e inflacionit me vendet partnere tregtare. Normat më të ulëta të inflacionit në vend, krahasuar me ato në vendet partnere tregtare, janë reflektuar në një mbiçmim real më të vogël se ai nominal në 12 muajt e fundit.
Brenda shportës së monedhave, ndikimin më të madh e ka dhënë monedha evropiane dhe lira turke, dhe më pak juani kinez. Forcimi sezonal i lekut duket të jetë zhvendosur pjesërisht gjatë viteve të fundit, nga muaji korrik në muajt maj dhe qershor.
Kjo sjellje tregon një shtrirje më të gjerë dhe nisje më të hershme të mbiçmimit sezonal të lekut në muajt e verës, e përkrahur dhe nga zgjatja e sezonit turistik në vitet e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, më përgjithësi, tregtimi i monedhave të huaja në tregun valutor ka qenë i qetë dhe treguesit e rrezikut në të janë paraqitur në nivele normale.
Ersuin Shehu/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.