“Kushtet në çadra, pa standarde” – Banorët e Floqit sherr me institucionet: S’kemi ujë e ushqim
Ndërkaq, pas tërmeteve situata në terren nuk paraqitet e qetë, pasi banorët që iu janë dëmtuar shtëpitë kanë shprehur shqetësime mbi kushtet e çadrave ku janë detyruara të qëndrojnë. Gjithashtu nuk kanë munguar as përplasjet fizike mes banorëve të fshatit Floq dhe përfaqësueseve të institucioneve shtetërore. Sipas banorëve kushtet nuk plotësojnë asnjë standard, ndërkohë që mungon ushqimi dhe uji i pijshëm.
Paralelisht, në Korçë është mbledhur shtabi i emergjencave civile, ku ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “Shërbimi shëndetësor po ofrohet 24/7 për banorët e zonave të prekura nga tërmeti”.
“Shëndetësia është e organizuar për të ofruar shërbime 24/7 në Plloq ku përveç çadrës me shërbim shëndetësor, kemi hapur një pikë të posaçme në ambientet e shkollës, ku aktualisht po ofrohet shërbimi shëndetësor. Gjithashtu kemi vendosur 2 autoambulanca në dispozicion, për çdo emergjencë që mund të ketë”. -tha ministrja.
Gjatë takimit të zhvilluar në Prefekturë u diskutua edhe për shërbimin psikosocial për banorët që kanë nevojë.
“Jemi duke vlerësuar të gjitha familjet për të vlerësuar të gjitha mundësitë që nënat bashkë me fëmijët të mund të akomodohen në mjedise që do t’i garantojmë nëpërmjet bashkisë apo qendra sociale. Kurse të moshuarit me probleme shëndetësore do të marrin shërbimin në spitale në rastet kur ata kanë nevojë” – tha Manastirliu.
Në mbledhjen e zhvillua në Prefekturën e Korçës, nën drejtimin e prefektit Dhori Spirollari, mori pjesë Kryetari i Bashkisë, deputetë të qarkut të Korçës, përfaqësues të shtabit të emergjencës dhe drejtues të strukturave vendore të shëndetësisë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.