Kuvendi voton dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese! Reagime nga ambasadat , Presidenca dhe PD
Kuvendi ka votuar dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Zgjedhja e tyre u bë me votim të fshehtë elektronik. Në seancë ku u miratuan dy anëtarët e rinj ishin të pranishëm 115 deputetë.
Pas votimit ka reaguar Ambasada Amerikane dhe ajo Gjermane në Tiranë.
“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit.
Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”shkruhet ne njoftimin e Ambasades.
“Në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbin fokusin.
Ne përshëndesim vendimin e sotëm të parlamentit shqiptar. Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij të datës 26 shtator 2019 se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në.
Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor” shkruhet ne ragimin e ambasades gjermane.
Pas votimit, ka reaguar edhe Presidenca dhe Partia Demokratike.
“Asgjë e re nga fronti i Ramaformës!Presidenti Meta vazhdon vizitën në Paris dhe kur të kthehet në Shqipëri do të ndajë vlerësimet e Tij me qytetarët shqiptarë!”, shkruan zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka deklaruar se kemi të bëjmë me një paracaktim të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Votimi i sotëm i Kuvendit është antikushtetues dhe i papranueshëm. Ai provoi që emërimet në Gjykatën Kushtetutese ishin të paracaktuara, duke cenuar rëndë besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese. Qëllimi ynë nuk është të analizojmë apo anatemojmë kandidatët e votuar nga Kuvendi apo Presidenti. Për Partinë Demokratike kjo nuk është një çështje emrash, por e besueshmërisë dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike ka mbajtur distancë të plotë nga ky proces, duke respektuar qëllimin e Reformës në Drejtësi, që është heqja e duarve të politikës nga drejtësia.
Këtë standard, këtë vullnet të të gjithë shqiptarëve për një drejtësi të pavarur, angazhimin e partnerëve ndërkombëtar për të siguruar drejtësinë e pavarur nga politika, Edi Rama e shkeli hapur.
Shmangia e garës, paracaktimi i kandidatëve, kontrolli politik i procesit nëpërmjet KED, është i papranueshëm. Nga ana tjetër, nëpërmjet votimit të dy kandidatëve, përnjeherë, Kuvendi ka shkelur një tjetër urdhërim të Kushtetutës dhe ligjit. Kjo është shkelja e dytë e Kushtetutës nga Kuvendi. Kushtetuta është e qartë.
Ajo përcakton rradhën e përzgjedhjes së kandidatëve nga secili institucion. Nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme që rradha e përzgjedhjes që ka përcaktuar Kushtetuta të mos respektohet.
Mungon vetëm Gjykata e Lartë, që është një rrethanë e pavarur nga vullneti i Kuvendit dhe i Presidentit. Prandaj edhe rradha që ka caktuar Kushtetuta, për Presidentin dhe Kuvendin, është e detyrueshme të zbatohet. Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Presidentit në këtë rast ishte i domosdoshëm, aq më tepër, kur emrat në listat e të dyja institucioneve janë të njëjta”u shpreh Bardhi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.