Legalizimet, përjashtohen 405 ndërtime – Shpërblehen financiarisht 493 subjekte me 3.1 mld lekë
Gjatë vitit 2016 janë përjashtuar nga procesi i legalizimit rreth 405 ndërtime pa leje të cilat nuk përmbushnin kushtet për legalizim. Po në këtë vit nëse i referohemi kalimit të të drejtës së pronësisë është bërë kalimi i së drejtës së pronësisë për 3244 parcela ndërtimore, të zëna nga ndërtimet pa leje.
Vlera financiare e përdorur në total për shpërblimet financiare ishte në vlerën e 3.1 miliardë lekëve të cilat i janë shpërndarë 493 subjekteve.
Në këtë vit për ndërtimet pa leje është bërë evidentimi faktik në terren për 71.154 ndërtime pa leje, në këtë mënyrë është realizuar kjo procedurë për rreth 85% të ndërtimeve informale, të përfshira në procesin e legalizimit.
Nëse i referohemi numrit të legalizimeve të kryera po në këtë vit ai është 51.351 duke e çuar numrin e përgjithshëm të objekteve të legalizuara në 110.143.
Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të japin dorëheqjen të gjithë drejtorët e hipotekave pasi nuk ka qenë i kënaqur me punën e tyre. Pas paralajmërimit te kryeministrit, drejtuesit e zyrave te regjistrimit dhanë dorëheqjet.
Por ministri teknik i drejtësisë ka dale kundër Rames, duke refuzuar largimet nga puna. Gazmend Bardhi ka urdhëruar pezullimin e tyre deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.