Lehtësi për bashkimin e fermerëve – Peleshi: Ulen kostot e prodhimit dhe rritet produktiviteti
Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor apo grupimeve të fermerëve do të kenë lehtësi fiskale dhe më shumë përparësi në financim përmes Skemave Kombëtare 2018. Gjatë një vizite në Qarkun e Gjirokastrës, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka qëndruar edhe një fermë të mbjellë me arra, ku ka theksuar se skema mbështet maksimalisht kulturat arrore, ndërsa u ka bërë apel femerëve të aplikojnë.
“Ne inkurajojmë dhe mbështesim arrën, lajthinë, gështenjat, arrorët në përgjithësi, por edhe pemëtoret e tjera, por le të ngelemi këtu te arrorët. Për zonën e Gjirokastrës sidomos, është një nga 15 kulturat që mbështet skemat kombëtare. Ne japim deri në 3 milionë lekë të vjetra për hektar, plus 2 milionë lekë për hektar për ujitjen, pra rreth 5 milionë lekë për hektar. Në qoftë se është një grupim fermerësh apo një fermer që investon në një fermë më të madhe se 5 hektarë, kjo rritet me 25%, mbi 10 hektarë rritet 50%. Pra, kemi një formulë në skemë që inkurajon bashkimin, kooperimin e fermerëve, krijimin e të ashtuquajturave të shoqëri të bashkëpunimit bujqësor apo të grupimit të fermerëve në një shoqatë, sepse vetëm përmes kooperimit ne mund të ulim kostot e prodhimit, të rritim produktivitetin dhe ta bëjmë më konkurruese bujqësinë.”
Më datën 28 Shkurt janë hapur aplikimet për subvencionet në bujqësi dhe janë 20 milion euro të vendosura në dispozicion për fermerët. Aplikimet bëhen pranë agropikave dhe zyrave rajonale të AZHBR-së, dhe në këtë fazë nuk nevojiten dokumente, pasi gjithçka bëhet me vetëdeklarim.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.