Lehtësirat fiskale për agroturizmin – Klosi nga Ura Vajgurore: Bashkia po planifikon të ofrojë tokat me qira me kontratë 1 euro
Ngritja e pikave turistike duhet të shndërrohet në përparësi duke shfrytëzuar lehtësirat që ofron paketa fiskale përmes uljes së taksave dhe reduktimit të TVSH-së deri në masën 6%. Kështu u shpreh ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi në takimet e llogaridhënies publike në Kutalli dhe Poshnje të Urës Vajgurore.
Sipas tij, lehtësirat fiskale në sektorin e agroturizmit do të sjellin zhvillimin ekonomik lokal për zonën. Po ashtu, shtoi më tej se bashkia ka në plan të afrojë tokat që ka në posedim përmes kontratës 1 euro për investitorët strategjikë për komunitetin.
Duke u ndalur te taksat vendore, Klosi vlerësoi transparencën e bashkisë së Urës Vajgurore, duke e cilësuar atë edhe si një model suksesi.
“Jemi në bashkinë e Urës Vajgurore ku realisht kemi një model suksesi, sesi çdo para, çdo lek i mbledhur nga taksapaguesit, çdo para e mbledhur nga komuniteti në kuadër të tarifave lokale konsumohet në një mënyrë transparente e cila është bërë model tashmë për të gjithë kryetarët e tjerë të bashkive”, tha Klosi.
Në fund të takimit, ministri u ndal edhe te platforma e bashkëqeverisjes, ku ftoi qytetarët të jenë bashkëpunues duke shkruar për çdo problem apo shqetësim që ta mund të kenë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.