Licencat e transportit interurban – Mema: Anulim, lejeve të dhëna 3 muajt e fundit. MTI pezullon procesin
Qeveria e re do të rishikojë të gjitha licencat e dhëna përgjatë 3 muajve të fundit për linjat e transportit ndërqytetas. Sipas kryetarit të Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban, Kujtim Mema, në këtë përfundim është arritur pas një takimi të zhvilluar në kryeministri, pas udhëzimit të ministrisë së Transporteve dhe Insfrastrukturës për shtimin e linjave e 80 linjave urbane.
“Iu drejtuam prapë kryeministrisë. Normalisht ne nuk mund të parashikojmë se çfarë do të bëjë ai që do të vijë në këtë moment, por shpresojmë dhe dimë nga bisedat që kemi bërë, se ai që do vijë do t’i vendosë pikat mbi i, të japë ato që duhet dhe të mos japë këto që s’duhet. Këtu ka linja të tmerrshme, Tiranë-Korçë me kalim nga Gramshi, Tiranë-Durrës me kalim nga Ndroqi, Tiranë-Leskovik ekziston një linjë, Leskoviku sa shtëpi kanë ngelur, këto japi një licencë të dytë me kalim nga Këlcyra”, tha Mema.
Kjo shoqatë zhvilloi edhe një protestë para Ministrisë së Transporteve, për të kundërshtuar një licencë për linjën Tiranë-Elbasan, që sipas tyre është abuzive dhe favorizon klientë të caktuar, duke falimentuar operatorët ekzistues.
Pas protestës ka reaguar edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila i ka cilësuar si të pabaza pretendimet e shoqatës. Përmes një njoftimi për shtyp ky dikaster bëri me dije se gjatë procesit të hartimit të linjave është marrë edhe mendimi i i kësaj të fundit. Por, pavarësisht kësaj, MTI njoftoi se ministri, Sokol Dervishaj, ka vendosur të pezullojë procesin e licencimit për linjat ndërqytetase, deri në marrjen e detyrës nga titullari i ri.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.