Ligji i “amnistisë” – Biznesi, jo optimist për nismën e qeverisë
Nisma e ndërmarrë nga qeveria për faljen e detyrimeve që biznesi i ka administratës fiskale është pritur jo me optimizëm nga sipërmarrja. Në një prononcim për “TV SCAN”, përfaqësues të këtij komuniteti shprehen se kjo nismë do të lehtësojë disa biznese, por do të jetë dhe dekurajuese për pjesën e ndershme që kanë paguar rregullisht detyrimet.
“Sinjalet mund të jepen në dekurajim, por sigurisht edhe në tendencën e sipërmarrjes për të qenë jo prezente në pagesën e tatim- taksave. Sepse në qoftë se kemi aplikimin e faljes fiskale në periudha të ndryshme dhe nga qeveri të ndryshme do të thotë që nuk kemi një stabilitet të sundimit të ligjit dhe krijimit të një klime të përshtatshme për të bërë biznes me rregulla të qarta dhe të përcaktuara. Normalisht që kjo krijon edhe riskun që të kemi devijime dhe evazion në të ardhmen dhe këtu i bie që qeveria shqiptare duhet të marrë masa paraprake në mënyrë që pas faljes të ketë një shtrëngesë të zbatimit të ligjit dhe prezencës së pagesave të tatimeve dhe taksave nga sipërmarrja private”, thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë, Tiranë.
Ndërsa Presidenti i “Biznes Albania” pohoi: “Nga pikëpamja morale sigurisht që është një çlirim, por edhe nga pikëpamja financiare. Sepse biznesi krijon idenë e plotë që nuk i detyrohet më shtetit dhe mund të nisë një sipërmarrje të re, mund të nisë një marrëdhënie të re me organet tatimore dhe doganore. Kështu edhe psikologjikisht edhe financiarisht, si të rregullohen bilancet është një gjë që duhet përshëndetur. Ka edhe pjesën e dekurajimit kjo amnisti, sepse pjesa serioze e sipërmarrjes, pjesa më e madhe e biznesit që paguan në mënyrë të rregullt tatimet çdo muaj, që nuk ka detyrime ndaj shtetit që nuk ka angazhime të tjera sigurish krijon pjesën e dekurajimit. Ka edhe sipërmarrës që thonë “po ne që kemi paguar”, sidomos tek mentaliteti shqiptar është më e theksuar”, tha Bregasi.
Edhe pse nga biznesi është kërkuar prej vitesh një amnisti fiskale, mosdakortësia mes forcave politike, ka bërë që kjo të mos realizohet në këto 25 vite ekonomi tregu.
“Siç menduam se ishte formula Rilindje, edhe për sipërmarrjen private menduam që do kishte një formulë Rilindje, jo vetëm falje por një ligj të plotë për amnisti të plotë kapitali e financiare. Njëkohësisht të kishte një amnisti të plotë për mjetet monetare që qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë kanë në dispozicion. Nuk u bë një gjë e tillë. Kjo nuk është një kërkesë e bërë për herë të parë. Ne e kemi përsëritur dhe e kemi lançuar edhe gjatë kohës së qeverisjes demokratike. Fatkeqësisht vazhdon precedenca e bërjes së faljeve fiskale në fund të mandatit 4 vjeçar”, thotë Nikolin Jaka.
Sipas këtij drafti pritet të fshihen taksat e papaguara, gjobat dhe kamatëvonesat për makinat dhe bizneset, por edhe gjobat për kontributet e papaguara të pensioneve. Nisma pritet të para shikojë faljen e detyrimeve para vitit 2010, ndërsa për detyrimet pas kësaj periudhe falja do të përfshijë vetëm kamatë vonesën apo penalitetet e tjera, kundrejt pagesës së detyrimit fillestar.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.