Listat e zgjedhësve – 39 qytetarë kërkesë në Gjykatën e Faktit të Tiranës për lejim votimi
Vetëm pak ditë para procesit të zgjedhjeve të përgjithshme, në Gjykatën e Faktit të Tiranës janë drejtuar 39 persona, të cilët nuk kanë gjetur emrat e tyre në lista.
Burime zyrtare nga gjykata bënë të ditur për TV SCAN se kërkesat që janë depozituar vijnë nga persona që ndodhen në paraburgim dhe deri më tani nuk ka asnjë kërkesë të tillë nga qytetarët e thjeshtë.
Kërkesa e parë e depozituar për mosgjetjen e emrit në listë ka qenë në datë 19 qershor, ndërkohë që pritet që fluksi të rritet më shumë në dy ditët e fundit para procesit zgjedhor.
Sipas burimeve kërkesat e bëra deri më tani po përpilohen jashtë gjykatës për të kaluar më pas në verifikimin e kushteve ligjore nga gjyqtarët e çështjes.
Kryesisht personat të cilët kanë bërë këto kërkesa pasi nuk kanë gjetur emrat e tyre në lista pranë institucionit ku ata janë vendosur, nga verifikimet e bëra ka rezultuar se emrat e tyre kanë qenë të afishuar pranë adresës ku ata kanë banuar dhe jo në burgje.
Një proces për dhënien e së drejtës për votim zgjat dy ditë. Gjykata e Tiranës bënë me dije se një ditë para zgjedhjeve të gjithë emrat e personave qe kanë bërë kërkesë për lejim votimi do të jenë afishuar.
Ndërkohë bëhet me dije se nuk ka asnjë kërkesë të rrëzuar deri më tani. Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017-të, të drejtën e votës e kanë 3.451.896 shtetas.
Ndër ta, 136.239 zgjedhës votojnë për herë të parë. 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.