Lojërat e fatit – Nuk kishin mbyllur aktivitetin, Policia procedon penalisht dy shtetasit
Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dy raste të ushtrimit të aktivitetit të kundra ligjshëm të lojërave të fatit, një në Tiranë dhe një në Kukës.
Sipas njoftimit, dy shtetasit janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy tavolina pokeri, dy valixhe me çipsa, një monitor për lojëra fati dhe tre njësi kompjuterike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Policia e Shtetit njofton se në Tiranë u procedua penalisht, shtetasi B. C, 62 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën ”Nikolla Tupe”, në ambientet e lokalit të tij iu gjetën dy tavolina pokeri dhe dy valixhe me çipsa. Ndërsa në qarkun Kukës, u procedua penalisht shtetasi E. K, 29 vjeç, pasi në qytetin e Tropojës, në lokalin e tij iu gjetën tre njësi kompjuterike dhe një monitor, të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.
Policia e Shtetit njofton se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.
Gjithashtu Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ose përmes rrjeteve sociale në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit çdo rast të paligjshmërisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.