Lu & Wilton: Zbatimi i reformës në drejtësi, shpresë për shqiptarët
Zbatimi i reformës në drejtësi, si një mundësi për transformimin e shoqërisë shqiptare, dhe për të rritur besimin ndaj sistemit të drejtësisë, ka qenë kryefjala e ndërkombëtarëve në 20 vjetorin e Shkollës së Magjistraturës.
Ambasadori i Amerikës në Tiranë Donald Lu tha se vettingu do t’iu kthejë shpresën shqiptarëve, ndërsa shtoi se sfida më e madhe e Shqipërisë është lufta kundër krimit të organizuar.
“Të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për hapat përpara që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të fillojë javën që vjen. Ka qenë rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por ky proces do të bëhet si duhet dhe me profesionalizëm, duke iu dhënë shpresë shqiptarëve se do mund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre. Por sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara Shqipërisë – lufta kundër krimit të organizuar. Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen”.
Për të pasur reformë, zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton tha se qytetarët duhet të besojnë të sistemi i drejtësisë.
“Reforma ka potencialin ta transformojë vërtet këtë shoqëri, duke transformuar kështu edhe mundësitë e saj. Por, reforma është thjesht një deklarim i qëllimeve të mira; nëse nuk zbatohet, reforma do të ngelet një gjurmë e vogël dhe e trishtë në historinë e Shqipërisë. Me zbatim kemi parasysh procedurat, praktikat dhe qëndrimet në çdo sektor të sistemit të drejtësisë. Reforma e vërtetë nuk bëhet në letër apo në Parlament; reforma e vërtetë bëhet në çdo sallë gjyqi dhe zyrë juridike në vend. Reforma duhet të perceptohet e duhet të besohet nga qytetarët e Shqipërisë. Për sa kohë qytetarët nuk besojnë te drejtësia e sistemit kur hyjnë në sallën e gjyqit, s’ka për të pasur reformë”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.