Marshim kundër informalitetit – Muçostepa: Sipërmarrjet në vend, të formalizohen
Formalizimi i ekonomisë ka qënë mesazhi i përcjellë këtë të enjtë nga shoqatat e biznesit, të cilat zgjodhën ta përçonin përmes një marshimi. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa, e cila i bëri thirrje sipërmarrjeve të formalizohen.
Ndërkohë, në fjalën e tij, president i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, vlerësoi kauzën duke nënvizuar se, nuk dëmton bizneset e vogla, por ndihmon në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe të gjithë shoqërisë. Sipas Civicit një vend nuk mund të ketë zhvillim ekonomik me një nivel informaliteti i cili arrin deri në 40%.
Shoqatat e biznesit kërkuan të jenë të pranishëm në hartimin e ligjeve në këtë drejtim, për përmirësimin e tyre si edhe caktimin e një dite në kalendarin e jetës publike si dita kundër informalitetit në biznes. Ndërkohë, të dhënat më të fundit të Komisionit Euripian tregojnë se, sektori me informalitetin më të lartë në ekonominë shqiptare është ai agroushqimor.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.