Maturantët fitues, procedurat dhe etapat e regjistrimit në fakultete
Të gjithë ata studentë fitues në Universitetet shtetërore në të gjithë vendin, do nisin nga regjistrimet.
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar dje faturën e arkëtimit për aplikimin në Institucionet e Arsimit të Lartë, i cili për këtë vit do të jetë 2000 lekë dhe do të paguhet në një nga bankat e nivelit të dytë. Me ndryshimet që janë bërë në rregulloren e Maturës 2017, regjistrimi do të bëhet me dy stade i ndarë në 7 faza me nga 48 orë. Procesi i regjistrimit i përket raundit të parë të pranimeve në universitete. Raundi i dytë i pranimeve do të realizohet për vendet që do të rezultojnë të paplotësuara në universitete, pas mbylljes së regjistrimit përfundimtar. Aplikimi për raundin e dytë do të bëhet pasi të mbyllet procesi për fazën e parë, nga ku do të dalin edhe vendet bosh që do të pozicionohen në listën e fituesve, mbi vijën e kuqe, raporton gazeta “Shekulli”.
Në këtë raund të dytë dhe të fundit pranimesh do të ketë një fazë tjetër regjistrimesh, afatet dhe modalitetet e së cilës do të bëhen të ditura, jo më nga Ministria e Arsimit, por nga vetë universitetet. Maturantët fitues duhet të regjistrohen paraprakisht në programin e studimit, ku janë shpallur fitues, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Ndërkaq në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, universitet do të shpallin në fund të gushtit listën përfundimtare të kandidatëve fitues, duke ruajtur parimin Meritë-Preferencë. Sipas udhëzimit, deri në datën 18 korrik, QSHA do t’u përcjellë shkollave të mesme përllogaritjen e notës mesatare, pas së cilës do të bëhet listimi brenda datës 8 gusht.
Regjistrimi paraprak
Kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues shkruajnë vetë emrin, atësinë, mbiemrin dhe nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit. Sipas këtij udhëzimi, sekretaria mësimore e pajis kandidatin që regjistrohet me një fletë regjistrimi paraprak, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fleta e regjistrimit paraprak duhet të jetë e nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe duhet të jetë e vulosur. Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.