Mbahet samiti i Ballkanit – Itali, Xhafaj në takim me homologët nga rajoni dhe diplomatë
Ministrat e Brendshëm të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar së bashku në Trieste të Italisë, për të diskutuar mbi luftën ndaj krimit të organizuar, trafikun e drogës, të qenieve njerëzore dhe terrorizmin.
Ministri i Brendshëm italian ndërkohë, përpara konferencës së përbashkët ka zhvilluar një takim bilateral me secilin prej ministrave të 6 vendeve. I pranishëm në takim ka qenë edhe Ministri i Brendshëm i vendit tonë, Fatmir Xhafaj. Pjesë e konferencës ndërkohë raportohet se janë edhe drejtues të lartë të policisë nga vendet e rajonit por edhe nga Italia, përfaqësues të institucioneve europiane, si dhe diplomatë të ndryshëm, jo vetëm nga Italia dhe vendet e rajonit, por edhe nga vende të tjera, kryesisht anëtare të Bashkimit Europian.
Konferenca është mbajtur për të përmbyllur projektin që njihet si “IPA Ballkani 2013”. Takimi vjen në vijim të një samiti të ngjashëm të mbajtur po në Trieste në Korrik të këtij viti, që i parapriu takimit të kryeministrave të rajonit, në kuadër të procesit që tashmë njihet gjerësisht si i Berlinit. Gjatë konferencës së Triestes u miratua edhe propozimi i palës shqiptare për ngritjen e një qendre rajonale të bashkëpunimit policor.
Xhafaj shtoi se, ka ardhur koha për ti dhënë një impuls të ri luftës ndaj kriminalitetit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.