Mbi 1400 biznese në shkelje për tetorin – Tatimet: 45 mln lekë vlerë penalizimi
Rreth 1422 biznese u konstatuan në shkelje nga kontrollet e ushtruara gjatë muajit tetor nga Administratat Tatimore me vlerë penalizmi rreth 45 milionë lekë. Nga të dhënat zyrtare të kësaj të fundit, gjatë muajit të kaluar struktura e specializuara të Hetimit Tatimor kanë ushtruar kontrolle në 4179 subjekte.
Moslëshim kuponi tatimor, mallra pa dokumentacion dhe mosdeklarim i punonjësve janë edhe shkeljet kryesore të konstatuara nga strukturat e Hetimit Tatimor.
Më konkretisht, sipas DPT:
18 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike, për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë). Gjithashtu janë bllokuar ambientet e 6 tatimpaguesve për shkeljen e mosinstalimit të pajisjes fiskale (hera e dytë);
335 tatimpagues janë konstatuar me shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor (hera e parë);
344 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor;
163 tatimpagues janë penalizuar për mosdeklarim të punonjësve, ndër të cilët 32 janë me përgjegjësi tatimore “biznes i vogël” dhe 131 subjekte me përgjegjësi tatimore “biznes i madh”;
106 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilat është marrë masat e bllokimit, deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt i TVSH-së;
74 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 81 të tjerë nuk i mbanin në gjendje pune.
Plani operacional për muajin tetor u zbatua në subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në qendrat e qyteteve: Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë, si dhe në pikat e tregtimit të karburanteve në të gjithë vendin.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.