Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile/ Vendimi: Të zëvendësohen kontrollorët me vendas ose te huaj, licenca të përshpejtuara
Situata e krijuar në Aereoportin e Rinasit ka sjellë mbledhjen urgjente të Komitetit të Mbrojtjes Civile nën drejtimin e Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.
Ministri, njëkohësisht edhe kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Civile, pasi u njoh me shqetësimin për problematikat e krijuara në ditët e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për shkak të bojkotit të kontrollorëve të kompanisë Albcontrol, vuri në dukje se bazë të ligjit 45/2019, datë 18.07.2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit konsiderohet infrastrukturë kritike, madje sipas nenit 43, konsiderohet infrastrukturë kritike me efekt ndërkufitar.
Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Komiteti i Mbrojtjes Civile vendosi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar nëse lind nevoja kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në kuadër të situatës së krijuar, u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë.
Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të liçensojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit u bllokuan që të mërkurën nga kontrollorët të cilët kanë kërkuar përmbushjen e pesë kërkesave me karakter kryesisht financiar. 24 kontrollorë u shoqëruan nga Policia e Shtetit në orët e vona të së mërkurës, pasi Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit. 21 prej tyre u liruar mëngjesin e së mërkurës, ndërkohë që 3 prej tyre u mbajtën në Drejtorinë e Tiranës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.