Më shumë makina elektrike në rrugët e Shqipërisë. Tendenca/ Si u rritën importet në dy vitet e fundit
Dy vitet e fundit, Shqipëria po njeh gjithnjë e më shumë përdorimin e makinave elektrike, si një alternativë për të ulur konsumin.
Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, rezulton se në vitin 2021, në Shqipëri u regjistruan 370 mjete elektrike të reja.
Në krahasim me një vit më parë, numri i mjeteve elektrike të importuara rezulton me rritje, raporton SCAN. Në vitin 2020, numri i mjeteve elektrike që u regjistruan ishte 317 ndërsa në vitin 2019, vetëm 24 të tilla.
Një nga problematikat madhore së cilës po i jepet zgjidhje përmes investimeve është mungesa e stacioneve të karikimit të makinave elektrike në zonat përtej Tiranës dhe Durrësit.
Aktualisht po zbatohen disa projekte eficence energjetike që parashikojnë ndërtimin e të ashtuquajturave “Rrugë të Energjisë së Pastër”, ku veç zëvëndësimit të llampave, montohen edhe pika karikimi për makinat elektrike.
Nga ana tjetër, legjislacioni fiskal e procedurial për importimin e mjeteve elektrike synon të stimulojë blerjen e tyre.
Në listën e nismave stimuluese është edhe zerimi i disa taksave e tarifave për mjetet elektrike që regjistrohen për herë të parë si dhe TVSH e reduktuar për çdo mjet që importohet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.