“Më shumë subvencione për fermerët” Basha premton mbështetje për prodhimin bujqësor nëse vjen në pushtet!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u premtoi fermerëve të fshatrave Novosej dhe Shishtavec në rrethin e Kukësit më shumë mbështetje në subvencione pas ardhjes në pushtet. Fermerët e këtyre zonave të njohura për kultivimin e patates, u shprehën se jetojnë me shumë vështirësi, rinia ka ikur e gjitha në emigracion, ndërsa prodhimet janë detyruar t’i groposin se s’ka treg shitje mjaftueshëm për prodhimet e tyre.
“Vjet kisha unë 150 kuintal të mëdhaja, kualitet i parë për treg dhe arritëm mos të shes asnjë, të gjitha u kalbën në gropë. Mu kalbën të gjitha. 150 kuintal po ishte njëfarë gjobe e madhe për ne, se ishte buka e fëmijëve, e gjitha buka e familjes kishte punuar për atë”, – thotë një tjetër fermer.
“Nafta është shtrenjtë që është kryesore. Kur ta marr unë shtrenjtë unë naftën fermeri nuk mundet ta përballoj. Kërkojmë subvencion sidomos për pataten për far atë reja edhe mundësisht me mekanik bujqësore. Ka ik koha e parmendës”, – shprehet i revoltuar një banor tjetër i fshatit të njohur të patates, Novosej.
Kreu demokrat e quajti mëkat mënyrën sesi është trajtuar kjo zonë nga shteti, duke u braktisur plotësisht.
“Është mëkat që një zonë me kaq shumë traditë ku prodhimet tuaja kanë bërë emër në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin ta gjej në një varfëri të tillë. Është mëkat I dyfishtë që në një kohë kur njerëzit po vuajnë për ushqimet bazë ne nuk arrijmë të garantojmë shitjen e patates tuaj dhe nuk arrijmë të lajmë as shpenzimet që ju keni hedhur për ta rritur këtë patate. Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj. Pse? Sepse ne nuk jemi në krahun tuaj, sepse qeveria nuk është në krahun tuaj. Nesër ju garantoj që do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë por me subvencione, me mbështetje direkte për fermerët. Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar bujqësinë, për të ndalur emigracionin, se dhe t’ju iki gjithë rinia në emigracion, ndërkohë që ka pasuri të jashtëzakonshme vendi, ka mundësi të jashtëzakonshme”, – iu tha Basha banorëve të Novosej.
Shefi i opozitës iu tha këtyre banorëve se nuk premton mrekullira, por i garantoi ata se qeveria e ardhshme do të jetë në krah të tyre për t’i ndihmuar dhe jo për t’i zhvatur.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.