Menaxhimi i lejeve të ndërtimit – Regjistër me 19 llojet e aplikimeve për punime e rikonstruksione
Çdo kërkesë apo aplikim për leje ndërtimi do të përfshihet në një regjistër qendror shtetëror që do të menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Territorit. Në këtë databazë të quajtur e-leje, do të përfshihen të dhënat për 19 lloje të ndryshme aplikimesh në gjithë territorin, që nisin nga deklarata paraprake për kryerje punimesh; te lejet e zhvillimi, te lejet për ndërtime të reja, shtesa, rikonstruksione, e deri te kërkesa për t’u pajisur me certifikatë përdorimi.
Përmes një vendimi që mban datën 11 korrik, Këshilli i Ministrave ka vendosur për “Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin elektronik të lejeve (sistemi e-Leje), për të gjitha kërkesat dhe lejet, sipas legjislacionit të planifikimit dhe të zhvillimit të territorit”.
Në regjistër do të pasqyrohen gjithashtu edhe të dhënat e kompanive apo individëve që aplikojnë për leje, të dhënat kadastrale të pronave, si dhe përshkrimi i punimeve e detajet teknike të objekteve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.