Mijëra gjoba për shkeljet rrugore/ Policia monitorime me dron dhe punonjës policie pa uniformë
Policia e Rrugore ka penalizuar një numër të konsiderueshëm shoferësh, të cilët janë gjetur në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, sipas këtij dikaseri, prej dy ditësh akset rrugore nacionale po monitohen me dronë , ndërkohë që janë shtuar monitorimet duke përdorur edhe patrulla me punonjës policie civilë krahas atyre me uniformë.
Si rezultat i monitorimeve, të shtunën dhe paraditen e të dielës, në akset “Elbasan-Peqin”, “Fier-Vlorë-Orikum”, “Fier-Tepelenë-Gjirokastër”, “Milot-Lezhë” dhe “Milot-Morinë” janë evidentuar dhe ndëshkuar 896 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara.
Gjithashtu, janë evidentuar dhe ndëshkuar 97 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara duke ju pezulluar leja e drejtimit, ndërsa janë dërguar pranë Organeve Administrative Shtetërore 8 drejtues mjetesh për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë. 8 drejtues mjetetsh janë arrestuar , ndërsa janë pezulluar 41 patenta për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Po ashtu, janë vendosur 356 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 196 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 67 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe 1432 masa për parkime të gabuara e shkelje të tjera. Monitorimet po kryhen nga 4 dronë, 6 radarë dhe 32 patrulla me punonjës policie civilë, ndërkohë që Policia e Shtetit apelon të gjithë për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.