Moti i ftohtë/ Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato apelon: Shmangni lëvizjet jo të domosdoshme natën!
Nisur nga situata e krijuar si pasojë e motit të keq, gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës me reshje dëbore në disa zona, si dhe nga temperaturat shumë të ulëta duke shkaktuar ngrica e akull, kryesisht në akset rrugore rurale malore, Policia e Shtetit njofton se ka marrë një sërë masash për t’ju ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës në rast nevoje.
Shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, Forcat Shqiponja dhe ato të FLO-së, janë të gjitha në terren, në të gjithë vendin, duke monitoruar qarkullimin dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje dhe bëjnë me dije se në zonat me risk, do ketë patrullime të shtuara nga Policia Rrugore për të orientuar drejtuesit e mjeteve.
Sipas njoftimit Policia Rrugore po bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktuese, për mbajtjen pastër të rrugëve dhe për të pasur në gatishmëri mjetet borëpastruese në rast të prezencës së akullit apo dëborës në rrugë.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që në radhë të parë të shmangin lëvizjet e panevojshme kryesisht në zona malore ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit:
- Të vendosin gomat dimërore dhe të kenë me vete zinxhirët të gjithë ata drejtues mjetesh, që lëvizin në zonat ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit.
- Të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara apo udhëzimeve të shërbimeve të policisë për akse rrugore të veçanta, të tregojnë kujdes dhe të ruajnë distancën gjatë lëvizjes.
- Të mos përdorin në asnjë mënyrë celularin, gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit dhe drejuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse.
- Të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra në rrugë dhe të qëndrojnë në radhë në rast se në ndonjë segment rruge për arsye të ndryshme, mund të ketë qarkullim të ngadaltë apo ndalim qarkullim.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve që të kontribuojnë, që bashkërisht ta kalojmë edhe këtë situatë të vështirë të motit me temperatura shumë të ulëta, duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.