Ndërtimi i unazës së madhe – ARRSH, tender 4 mln euro për aksin nga Pallati me Shigjeta te “Shqiponja”
Rreth 5 miliardë lekë apo 4 milionë euro do të kushtojnë ndërtimi i segmenti i Unazës së Madhe të Tiranës nga mbikalimi i pallatit me Shigjeta, te rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja.
Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon të hapë gjatë muajit shtator procedurën tenderuese, e cila ndahet në 3 lote. Loti i parë ka një vlerë prej 1.57 mld lekë, loti i dytë 2.24 miliard lekë, ndërsa loti i 3-të 1.18 miliard lekë.
Hapja e këtij tenderi vjen pas deklaratave të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i cili tha në Kuvend se brenda 3 vitesh Unaza e Madhe e Tiranës do të përfundojë, pasi është siguruar financimi i nevojshëm.
Ndërkaq, përgjatë muajit gusht Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi edhe 2 tenderë të tjerë, për rikualifikimin e akseve rrugore për pjesën lindore të unazës, me një vlerë totale prej 3.8 mld lekësh. Hapja e këtyre segmenteve është tejet e rëndësishme, pasi pritet të sjellë lehtësim të trafikut në kryeqytet.
Paralelisht ARRSH po planifikon të ndërtojë edhe një segment të ri nga sheshi Shqiponja te bulevardi i Ri. Procedura e shpallur ka si objektiv studimin, projektimin dhe rishikim e projektit per këtë segment. Më konkretisht projekti i ri parashikohet të shtrihet në Veri te kryeqytetit ose ne Jug te Njësisë Administrative të Paskuqanit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.