Ndotja e mjedisit, kreu i ISHPM, Agasi: Gjoba bashkive, spitaleve dhe subjekteve industriale
Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve jep të dhënat për inspektimet e kryera gjatë vitit 2016. Konkretisht, ky dikaster ka publikuar rezultatet e punës së kryer, në një vit nga Inspektorati i Mjedisit. Kreu i ISHPM-së Ergys Agasi në një deklaratë për mediat tha se inspektimet gjatë vitit 2016, llogariten 58 për qind më shumë se viti 2015.
Sipas tij, gjatë vitit 2016 u vendosën gjoba në 5 bashki për çështjen e mbetjeve urbane. Po kështu, gjoba janë vendosur edhe ndaj institucioneve publike spitalore për mungesën e masave për menaxhimin e mbetjeve. Gjithashtu janë dyfishuar edhe sanksionet ndaj subjekteve industriale.
“Gjatë vitit 2016 nga Inspektorati i Mjedisit janë kryer gjithsej 7353 inspektime, ose 58% më shumë krahasuar me vitin 2015. Në një pasqyrë të përgjithshme kemi shifrat si më poshtë: Janë vendosur 15.3% më shumë gjoba se në 2015 me një vlerë monetare 7.9% më shumë se në vitin 2015. Për herë të parë vitin e shkuar janë vendosur 11 dënime me paralajmërim. Janë marrë masat për pezullime dhe mbyllje aktivitetesh me 48% më shumë krahasuar me vitin 2015. Në subjektet industriale dhe aktivitetet prodhuese janë 15.5% më shumë inspektime se në vitin 2015. Kemi një 2-fishim të sanksioneve administrative krahasuar me vitin 2015. Vlera totale e gjobave është në masën 64 % më shumë se vitin 2015. Puna e sektorit për inspektimin e burimeve natyrore është përqendruar në Inspektimet e minierave, guroreve, subjekteve në zonat naftë e gazmbajtëse, si dhe në Inspektimin e burimeve ujore. Në këtë fushë gjatë vitit të kaluar janë kryer 93 inspektime, janë vendosur 45 gjoba.”, thotë Agasi.
Nga inspektimet e kryera në rang vendi për menaxhimin e mbetjeve urbane janë marrë 23 masa administrative.
“Nga këto 5 masa me gjobë janë vendosur për kryebashkiakët e bashkive Pustec, Pogradec, Sarandë, Devoll dhe Librazhd, të cilët janë gjobitur me një vlerë prej 500.000 lekë secili. Masa administrative me gjobë janë marrë edhe për disa ndërmarrje publike. Gjatë vitit 2016 u inspektuan subjektet e licencuar nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për të parë realizimin e kushteve të kontratave që lidhin me operatorët që gjenerojnë mbetje spitalore për çdo qark. Masa administrative me gjobë janë marrë edhe ndaj institucioneve publike shëndetësore për Spitalin Rajonal Korçë, Qendrën Shëndetësore Hekal, Mallakastër, Spitalin “Ihsan Cabej” Fier , Drejtorinë e Shëndetit Parësor Dibër dhe Drejtorinë e Shëndetit Parësor Shkodër”, theksoi Agasi.
Një pjesë e rëndësishme e punës së ISHMP-së është edhe aksioni dedikuar sezonit turistik veror.
“Në këtë kuadër kemi +8% të inspektimeve dhe 22% më shumë pezullime aktiviteti të subjekteve private se viti 2015”, thotë Agasi.
Në fund të kësaj analize, kreu i ISHMP kërkoi vijimin e inspektimeve rigoroze në rang vendi, në zbatim të ligjit dhe në ruajtje të natyrës dhe të mjedisit në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Puna e kryer nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve është vlerësuar nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
Në një postim në Facebook, Koka shkruan se “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve me rezultate maksimale pozitive, c’ka tregon qartë se ky Inspektorat në krye të 3 viteve nga krijimi i tij, sot performon cilësisht. Punë voluminoze dhe intensive, për t’u vlerësuar dhe falënderuar, në punë të vazhdueshme për të përmbushur më së miri, misionin e këtij institucioni për garantimin dhe respektimin e kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe garantimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”, shkruan Koka.
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve me rezultate maksimale pozitive, cka tregon qartë se ky Inspektoriat në…
Posted by Lefter Koka – Faqja Zyrtare on Thursday, February 23, 2017
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.