Ndryshon buxheti 2021/ Shtohet fondi rezervë. Paratë shkojnë për naftëtarët, zgjedhjet dhe investimet strategjike
Pak javë pas hyrjes në fuqi, Këshilli i Ministrave ka bërë ndryshimin e parë në buxhetin e vitit 2021. Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, shpenzimet nga 458 320 milionë lekë do të bëhen 460 740 milionë lekë si rrjedhojë e shtimit të fondit rezervë. Në fondin rezervë të buxhetit, ka një rritje me 1 miliardë lekë.
Po ashtu, në vendim detajohet shpenzimi për fondin rezervë të buxhetit të shtetit.
“Fondi rezervë prej 5 000 milionë lekësh përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për: – raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, në masën 3 000 milionë lekë, nga i cili 462 milionë lekë për pagesën e naftëtarëve;
përballimin e kostos së zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021, në masën 1 000 milionë lekë; hartimin e studimeve të projekteve të investimeve publike strategjike, në masën 1 000 milionë lekë.
Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 500 milionë lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa” përcaktohet në vendim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.