Në sitë pasuritë kulturore të dhëna me qira / Auditim nga njësi të posaçme monitorimi për shitjen e biletave, xhirot e respektimin e kontratave
Të gjitha pasuritë kulturore të dhëna nën administrim te subjektet privatë apo edhe bashkitë do të kalohen në sitë nga Ministria e Financave për të vlerësuar të ardhurat nga shitja e biletave, pasqyrat financiare, ecurinë e zbatimit të plan bizneseve, dhe respektimin e kushteve të kontratave.
Kontrollet do të kryhen nga njësitë e monitorimit të cilat do të kenë në përbërje të paktën një jurist, një ekonomist dhe një ekspert i trashëgimisë kulturore, përfaqësues të ministrisë se kulturës dhe institucioneve të saj të varësisë, sipas tipologjisë dhe specifikave të pasurisë kulturore që është dhënë në administrim.
Njësitë do kenë prioritet monitorimin dhe vlerësimin e subjekteve që kanë në administrim pasuri kulturore, në përputhje me periudhat e raportimit të përcaktuara në marrëveshjen apo kontratën e administrimit, por në çdo rast, jo më pak se një herë në vit. Po ashtu, Njësia e monitorimit i kërkon subjektit administrues raportim mbi veprimtarinë e tij në administrimin e pasurisë kulturore, sipas marrëveshjes apo kontratës së administrimit. Raportimi përfshin informacion, për:
- a) gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore gjatë periudhës objekt monitorimi;
- b) realizimin e planeve vjetore të veprimtarive kulturore;
- c) veprimtarinë e subjektit në administrimin e pasurisë kulturore në bazë të marrëveshjes apo kontratës së dakordësuar për kalimin e pasurisë kulturore në administrim direkt ose indirekt, të shoqëruar nga dokumentacioni përkatës, sipas parashikimeve në marrëveshjen apo kontratën e administrimit;
ç) burimet njerëzore, kapacitetet teknike dhe financiare për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e pasurisë kulturore;
- d) garantimin e shërbimeve dhe aksesit për publikun;
- dh) si dhe zbatimin e planit të menaxhimit të miratuar të pasurisë kulturore të paluajtshme, kur ka një të tillë.
Lorenc Rabeta – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.