Në Vetting, Prokurori i Apelit – Trenova rrezikohet për pasurinë dhe mbylljen e një hetimi
Fshehja e pasurisë, por edhe mbyllja e hetimeve për një koleg, rrezikon shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Apelit të Tiranës Gentian Trenova. Ai u paraqit të enjten përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit bashkë me avokatin Lulzim Hamitaj për t’ju nënshtruar testit të pasurisë, integritetit profesional dhe personal.
Nga verifikimet e këtij komisioni rezultoi se Trenova nuk i justifikon dot pronat në zotërim, se ka kryer deklarim të rremë dhe se ka fshehur pasuritë.
Trenova ka deklaruar një apartament të blerë në rrugën “Ferit Xhajko”, ku në kontratën e parë çmimi ka qenë 40 mijë euro, ndërsa në kontratën e dytë deklarohet 1 milionë e 900 mijë lekë. Veç kësaj ai ka bërë një ndërtim shtesë të tipit duplex, për të cilën nuk ka mundësi ligjore për ndërtim. Për më tepër, sipas relatores së çështjes Brunilda Bekteshi, rezulton se pavarësisht dhurimit, Trenova banon vetë në atë apartament.
Vetë prokurori i pranishëm në seancë tha se prindërit e bashkëshortes së tij jetonin në një banesë me qerpiç dhe vendin do e jepnin për ndërtim. Por më pas menduan të merrnin kredi dhe ta rregullonin. Rezultoi gjithashtu se Trenova nuk justifion dot me të ardhura as disa para të dhuruara nga të afërm/
Ndërkohë që problemet për Trenovën duket se nuk mbeten vetëm te fshehja e pasurisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka sjellë në vëmendje një rast, kur Gentian Trenova ka pushuar hetimet për pasurinë për një person të arrestuar nga policia greke me kanabis dhe një pistoletë. Në këtë procedim, sipas KPK kishte përgjime për përfshirjen e një prokurori me inicialet A.K., kjo çështje u ndoq nga Trenova, i cili e mbylli hetimin më pas gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe asgjësoi përgjimin.
Në këtë pikë ka ardhur edhe ndërhyrja e parë e përfaqësuesve të ONM që prej nisjeve së seancave dëgjimore të Vetting-ut.
Përfaqësuesi i ONM-së, Teo Jacobs u ndal te hetimet për dy dosje, atë të ish prokurorit dhe atë të personit në hetim. Ai u shpreh i tronditur me argumentin e Trenovës se i kishte mbyllur dosjet pasi këtë ja kishte këshilluar oficeri i policisë. Si mund t’i thotë policia një prokurori se hetimi është mbyllur, tha Xhekobs?
Vendimi përfundimtar për shkarkimin apo konfirmimin në detyrë të Trenovës do të jepet më 20 Qershor.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.