Nëntor “i ftohtë” i shkëmbimeve tregtare me Kosovën. Eksportet dhe importet shënojnë rënie
Muaji nëntor ka rezultuar jo dhe aq pozitiv përsa i përket shkëmbimeve tregtare më Kosovën. Sipas publikimit më të fundit të Instat mbi tregtinë e jashtme, në nëntor 2019, Shqipëria eksportoi drejt Kosovës 242 milionë lekë mallra më pak, krahasuar me nëntor 2018.
Vlera e mallrave të eksportuara në nëntor 2018 ishte 2.5 miliardë lekë, ndërsa në nëntor 2019, ra në 2.2 milionë lekë. Ashtu si eksportet edhe importet kanë ndjerë luhatje. Sipas Instat, në nëntor 2019, Shqipëria importoi 509 milionë lekë mallra nga Kosova, në një kohë që në nëntor 2018, kjo vlerë ishte 710 milionë lekë.
Megjithatë, në vija të përgjithshme, pavarësisht ecurisë së muajit nëntor, viti 2019 ka rezultuar pozitiv përsa i përket eksporteve. Në periudhën 11 mujore të 2019, Shqipëria ka eksportuar 27.6 miliardë lekë mallra në Kosovë, konkretisht, 2.6 miliardë lekë më shumë, krahasuar me periudhën janar- nëntor 2018. Instat tregon se në 11 mujorin e 2018, vlera e eksporteve drejt Kosovës ishte 24.9 miliardë lekë.
Grupmallrat që kanë ndjerë rritjen më të madhe të eksporteve në Kosovë përgjatë 2019 janë “ushqime, pije, duhan”, “produkte kimike dhe plastike”, si dhe “prodhime druri dhe letre”.
Kurse, përsa i përket importeve, periudha janar- nëntor 2019 ka shënuar rënie te tyre. Nga 8 miliardë lekë që ishin në 11 mujorin e 2018, në 7.11 miliardë lekë në periudhën janar- nëntor 2019.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.