Ngrihet SPAK, betohen 8 prokurorët e parë! Reagon ambasada në Tiranë: SHBA, partner i palëkundur
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë 8 prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarë të parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK).
“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar” shkruhet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.