Nis diskutimi për strategjinë 10-vjeçare të turizmit rural – Krifca: Sektori që para pak vitesh nuk njihej, tashmë kontribues serioz i rritjes ekonomike dhe punësimit
Është zhvilluar sot diskutimi i hapur mbi modelin e duhur të zhvillimit të agroturizmit që duhet të zhvillohet në Shqipëri në vitet e ardhshme. Bashkë me analizën e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë me asistencën e GIZ në Shqipëri, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë takuar politik bërësit, shoqata e agroturizmit dhe sipërmarrjet agroturistike për të dëgjuar kërkesat dhe për të gjetur zgjidhjet me qëllim rritjen e aktivitetit ekonomik në zonat rurale ku këto njësi operojnë.
Ministrja Krifca ka përshëndetur diskutimin dhe ka inkurajuar sipërmarrjet që të punojnë më ngushtë me politik bërësit për të ndërtuar ligje dhe politika që adresojnë shfrytëzimin e potencialit të jashtëzakonshëm të këtij sektori në Shqipëri.
“Jemi mbledhur për të diskutuar mbi një dokument, me një analizë shumë të mirë të sektorit të agroturizmit. Ka disa rekomandime për ndërhyrje specifike, të cilat mendoj se e rregullojnë sektorin më tej, duke vënë theksin e duhur te disa problematika që ne mund t‘i adresojmë edhe me politikat e duhura të vëna në dispozicion nga MBZHR dhe MTM. Në aspektin politik të nevojshëm për të mbështetur rritjen e paevitueshme tashmë të këtij sektori, i cili po na tërheq gjithnjë e më shumë e tërheq me vete rininë, e cila i bashkohet sektorit të bujqësisë dhe që ndikon një zinxhir të madh ekonomik në zonat më të thella rurale është bërë një domosdoshmëri” u shpreh Krifca
Krifca theksoi se në aspektin e bazës ligjore rregullative janë bërë shumë hapa përpara që nëse integrohen në mënyrën e duhur dhe me strategjinë 10- vjeçare, që duam të ndërtojmë na krijojnë shinat që ju të ecni shumë shpejt, në mënyrë që ta konsolidojmë këtë sektor.
Drejtori i programit Srd të GIZ, Mattia Wegmann tha se “Është një ditë e rëndësishme pasi është hera e parë që ulemi përballë njëri-tjetrit por janë diskutime që do të vazhdojnë gjatë për zhvillimin e këtij sektori. Agroturizmi është një treg në zhvillim. Është e rëndësishme për ne të bëjmë sa më funksional ndikimin që do të ketë agroturizmi në popullsinë rurale dhe zhvillimin ekonomik që do të sjellë për të gjithë vendin”.
Njësitë e agroturizmit në vitet e fundit janë kthyer në pole ekonomike për zonat ku operojnë duke ofruar jo vetëm shërbim cilësor për vizitorët por mbi të gjtha duke rigjallëruar dhe vlerësuar produktet e fermerëve të zonave rurale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.