Nis zyrtarisht “Defender 21” në Portin e Durrësit – Bashkohen krerët e shtetit
Stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe 21” ka nisur në portin e Durrësit këtë mëngjes. Ky është një moment i cilësuar si historik për Shqipërinë dhe krerët e shtetit kanë ndarë qëndrimin e tyre përmes deklaratave në rrjetet sociale, apo komunikimit me gazetarë.
“Nis në Portin e Durrësit stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi” shkruan kryeministri Rama në rrjetin e tij në Facebook.
Nga ana tjetër, presidenti Meta është shprehur se Shqipëria ndihet e vlerësuar për besimin në detyrën e dhënë si vend pritës, duke shtuar se ky është një rol që vendi do ta justifikojë plotësisht.
“Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj NATO-s është unanime, ashtu sikundër vokacioni europian i kombit tonë. Vendi ynë do të vazhdojë të jetë një partner dhe anëtar i denjë i Aleancës, me synimin e qartë të përmbushjes së objektivave dhe vullnetit të popullit për t’u bërë sa më shpejt pjesë e familjes së madhe europiane” shkruan më tej Meta.
Ndërkaq, kreu i opozitës, Lulzim Basha ka zgjedhur të dalë në një deklaratë për media,
“Së pari dua të falënderoj nga zemra të gjithë forcat pjesëmarrëse të NATO-s, veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kam krenarinë e veçantë dhe privilegjin t’i uroj mirëseardhjen këtij ushtrimi të paprecedent të NATO-s dhe shpreh krenarinë legjitime që Partia Demokratike dhe unë si Ministër i Jashtëm mundësuam atë që dukej si një ëndërr e pamundur për Shqipërinë” u shpreh Basha, duke folur më tej për procesin zgjedhor të 25 Prillit, duke e cilësuar si masakër elektorale dhe duke deklaruar se PD vijon mbledhjen e fakteve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.