Norvegjia dyfishon grantet për Ballkanin Perëndimor – Fushat prioritare për Shqipërinë
Norvegjia do të dyfishojë grantet për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me një rritje nga 18 milionë euro në 2017 në 33 milionë euro për vitin 2018.
Mbështetja e saj për nxitjen e stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit në zonat fqinje ishte bërë e ditur nga qeveria norvegjeze që në dokumentin e bardhë për kursin dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë norvegjeze të botuar vitin e kaluar. Bashkimi Europian dhe një numër vendesh të tjera individuale europiane janë duke u fokusuar më shumë në Ballkanin Perëndimor për momentin.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë reforma gjithëpërfshirëse për të garantuar demokracinë, për të forcuar sundimin e ligjit, për të krijuar vende pune dhe për të arritur progresin ekonomik dhe social. Ata janë aktualisht në mesin e vendeve më të varfra në Evropë, disa prej të cilëve me norma të papunësisë së të rinjve deri në 60%. Është jetësore që këto vende të kenë sukses në përpjekjet e tyre, në mënyrë që ata përsëri të mund të kontribuojnë në zhvillimin, bashkëpunimin dhe sigurinë në Evropë. Kjo do të jetë në interes të Norvegjisë dhe Evropës si një e tërë”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Ine Eriksen Søreide.
Mbështetja e Norvegjisë synon të nxisë bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, qeverisjen e mirë dhe anti-korrupsionin, mbrojtjen e pakicave dhe një shoqëri civile më të fortë. Prioritetet do të ndryshojnë nga vendi në vend, varësisht nga nevojat e tyre dhe prioritetet e vendeve të tjera donatore dhe BE. Disa nga fondet do të ndahen për programet të cilat financohen bashkërisht nga donatorë të tjerë, përfshirë BE-në.
Fondet norvegjeze do të vihen në dispozicion për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Disa nga fondet do të ndahen për projekte rajonale që përfshijnë dy ose më shumë vende.
Sa i takon Shqipërisë, sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, përfituesit e mundshëm të granteve parashikojnë ministritë dhe institucionet e tjera kombëtare në vendin tonë, organizatat joqeveritare lokale (OJQ) dhe aktorë të tjerë, OJQ ndërkombëtare si dhe organizata ndërqeveritare.
Këto grante përfshijnë katër prioritete kryesore për vendin tonë:
- Zbatimin e reformës në drejtësi, veçanërisht krijimin e aranzhimit të ndërmjetësimit dhe ngritjes së kapaciteteve dhe kompetencave në sistemin e gjykatave dhe autoriteteve ndjekëse.
- Integrimin europian, ku do të përfshijë ngritjen e kapaciteteve dhe kompetencave në sektorin publik.
- Zhvillimin e sektorit detar
- Zhvillimin e sektorit të energjisë dhe TIK
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.