Operacioni “Forca e Ligjit” – Xhafaj mbledh Task Forcën Qendrore Ndërinstitucionale
Task Forca Qendrore Ndërinstitucionale do të mbështesë atë Speciale në nivel qendror dhe rajonal, si struktura të posaçme të ngarkuara me përgjegjësi operacionale. Kjo mbështetje u garantua gjatë një takimi të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme në kuadër të planit të veprimit kundër krimit të organizuar dhe operacionit – ‘Forca e Ligjit’.
Në këtë takim të organizuar nga ministri Fatmir Xhafaj, morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm Arta Marku, Ministrja e Drejtësisë, ai Financave, Zv.drejtori i SHISH, Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i Policisë së Shtetit dhe ai i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Xhafaj njohu anëtarët e Task Forcës Qendrore Ndërinstitucionale me ecurinë e procesit gjatë muajit dhjetor 2017, hartimin dhe miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, masat e marra për ngritjen e strukturave për të thithur në to ekspertizën më të mirë në fushën e hetimit policor si edhe krijimin e mjediseve të përshtatshme të punës.
Në këtë takim palët u dakordësuan për mbështetjen që secili prej tyre do t’i japë këtij procesi përmes Agjencive respektive të zbatimit të ligjit, për përmirësimin e kuadrit normativ që lehtëson këtë bashkëveprim.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.