Organizoi gara në rrugë dhe bllokoi qarkullimin – Policia procedon penalisht dhe administrativisht një drejtues mjeti
Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare Policia e Shtetit ka njoftuar se ka identifikuar dhe proceduar penalisht dhe administrativisht një drejtues mjeti pasi ishte organizator i garës në rrugë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe automjetin në pronësi të E. K., i cili e kishte dërguar atë në një servis, për ta çmontuar.
Njoftimi i policisë:
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqeshin drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre, me qëllim për të realizuar gara sportive, në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera, duke prishur rendin e qetësinë publike dhe duke organizuar grumbullime të njerëzve, shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej drejtuesve të mjeteve”.
Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal për shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime” dhe ” “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masa administrative 150.000 lekë të rinj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.