Pagat po rriten këtë vit – Por ndikon dukshëm rritja e pagës minimale në janar
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në vend u rrit me 4.5% në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje rezultoi lehtësisht më e ngadaltë se rritja me 4.9% e një tremujori më parë.
Ecuria e pagës mesatare në ekonomi vlerësohet të jetë mbështetur edhe nga rritja e nivelit të pagës minimale në vend dhe pagave të sektorit publik për kategori të caktuara.
Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi u rrit nga 24 mijë lekë në 26 mijë lekë në tremujorin e parë të vitit 2019.
Kjo rritje në terma nominalë vjetorë është 8.3%. Sipas të dhënave të Instat, në tremujorin e dytë të këtij viti, rreth 28% e të punësuarve kontribuues arrin një pagë deri në nivelin e pagës minimale zyrtare.
Ndër vendimet e tjera të qeverisë lidhur me pagat e sektorit publik është edhe rritja e tyre për kategori të caktuara, vendime që kanë hyrë në fuqi në tremujorin e dytë të vitit 2019 dhe që vlerësohet të kenë ndikuar në kahun rritës ecurinë e pagës mesatare mujore në ekonomi.
Megjithatë, sipas analizës së Bankës Qendrore, dinamika rritëse e pagës mesatare sipas sektorëve mbetet lehtësisht më e shpejtë në sektorin privat krahasuar me atë shtetëror.
Paga mesatare mujore në sektorin privat ishte më e lartë se niveli i shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë, me 4.9% në terma nominalë dhe me 3.5% në terma realë.
Ndërkohë, në sektorin shtetëror, ky tregues u rrit me 4.3% në terma nominalë vjetorë dhe 2.9% në terma realë.
Rritja e pagës sipas aktiviteteve ekonomike vlerësohet të jetë ndikuar në masën më të madhe nga ecuria pozitive e pagave në sektorin e shërbimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.