Paketa Antishpifje – Rama: Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë për Fondin e Edukimit
“Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialistë nuk do të tolerojë më asnjë shpifje.” Deklarata ka ardhur nga kryeministri, Edi Rama, përmes një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’, ku ka paralajmëruar se çdo shpifje nga do të paditet në gjykatë.
Sipas tij, çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje do të shkojë në Fondin e Edukimit, që do të krijohet me qëllim mbështetjen e çerdheve e shkollave.
“Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore. Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, ky Fond i cili do të ketë një bord drejtues dhe do të bëhet e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.
Ndërkohë, ka shtuar më tej se në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje, ku do të ngarkohet një grup pune për përgatitjen e dokumentave dhe funksionimin e tij dhe Fondit të Edukimit, struktura që do të jenë operacionale pas kalimit në Kuvend të Paketës Antishpifje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.