Paketa e re fiskale – Merr formën përfundimtare, botohet në fletoren zyrtare
Paketa e re fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm tashmë ka marrë formën përfundimtare dhe është botuar në fletoren zyrtare.
Kjo do të thotë që tashmë ndryshimet ligjore të bëra në fillim të vitit 2018 janë efektive. E gjithë paketa fiskale për vitin e ardhshëm është fokusuar në ndryshimet në 6 ligje.
1-Ndryshimi në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, ku ndryshon metodologjia e llogaritjes së taksës së pasurisë, nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje, e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës; Gjithashtu pritet ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës;
2-Ndryshime në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” i cili synon: -Incentivimin për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit. Incentivimin në fushën e prodhimit të software-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishëm për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor i kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.
3- Ndryshime në ligjin “Për miratimin e tarifës doganore”, nëpërmjet të cilit synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit.
4- Ndryshime në ligjin për akcizat, i cili synon rritjen e nivelit të akcizës së cigareve. Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5750 lekë/1000 copë.
5-Ndryshime ne ligjin për TVSH, ku është vendosur aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së në për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese hotele me 5 yje me status të veçantë, të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht në masën 6 %.
6- Ndryshime ne ligjin “Për taksat kombëtare” lidhur me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze. Ky ligj synon të ndryshojë kriterin e kapacitetit fizik të automjeteve që konsiderohen automjete luksi.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.