Pallatet e dëmtuara nga tërmeti – FSHZH hap tenderin 15.6 miliard lekë, ndërtime të reja në 9 bashki
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese për “Programin e Rindertimit ne Zonat e Prekura nga Termeti” ka hapur një tender me vlerë 15.6 mld lekë për rindërtimin e pallateve të dëmtuara në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë. Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i marrëveshjes kuadër që do të lidhet me kompaninë fituese konsiston në pergatitjen e projektit te zbatimit dhe rindertimin e njesive te banimit nga fillimi. Gjithashtu, saktësohet se pallatet që do të rindërtohen janë përcaktuar sipas planeve të detyruara vendore në zonat e shpalluara për zhvillim ose mund rindërtohen në sheshin ku ka ekzistuar me pare.
Për vitin 2020, buxheti i vënë në dispozicion është 3,1 mld lekë pa tvsh apo thënë ndryshe rreth 20% e vlerës totale të tenderit. Ndërkohë që, kohëzgjatja e kontratës apo kontratave që do të lidhen do të jenë deri në 12 muaj nga momenti i lidhjes ose me afat me të shkurtër në varësi të veçantisë së objektit të njësive të banimit. Aktualisht, qeveria shqiptare është duke zbatuar “Programin e
Rindërtimit të Infrastruktures së dëmtuar nga pasojat e tërmetit të Nentorit 2019”, që ka si synim rindërtimin e banesave individuale apo edhe atyre kolektive në funksion të strehimit për banorët që rezultojnë të pastrehë si pasoje e tërmetit. Gjithashtu, synohet rindërtimi i objekteve arsimore, shëndetesore apo të kujdesit social; rindërtimi i infrastrukturës së objekteve administrative të institucioneve shtetërore, vendore apo ato të sistemit gjyqesor, si dhe rindertimi i infrastruktures publike dhe kritike shoqëruese dhe në funksion të objekteve te sipërpërmendura.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.