Pandemia “orienton” Shqipërinë drejt Gjermanisë – Instat: Rritja më e madhe e eksporteve dhe importeve
Periudha e pandemisë duket të ketë shërbyer për të forcuar marrëdhëniet tregtare me Gjermaninë. Sipas raportit më të fundit të Instat mbi tregtinë e jashtme, rritja më e madhe e eksporteve në këtë 10 mujor ka qenë me Gjermaninë, konkretisht me 14.3%. E në fakt, e njëjta gjë vlen edhe për importet, ku Gjermania është sërish shteti me rritjen më të madhe. Sipas Instat, importet me Gjermaninë në janar – tetor 2020 janë rritur me 0.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.
Sa i takon eksporteve, deri në tetor 2020, Shqipëria ka eksportuar 1.7 miliardë lekë më shumë nga periudha janar – tetor 2019. Në total, në 10 mujorin e 2020-ës, eksportet drejt Gjermanisë kanë qenë 13.6 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, importet po nga ky shtet janë rritur me 312 milionë lekë (periudha janar – tetor 2020). Në 10 mujorin e vitit 2019, vlera e mallrave të importuar nga Gjermania ishte 37.5 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të vitit pasardhës, kjo vlerë arriti në 37.8 miliardë lekë.
Megjithatë, duke u zhvendosur te shifrat e përgjithshme të Instat, raporti tregon se në 10 mujorin e 2020-ës, eksportet janë ulur me 12.2% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Në vlerë, bëhet fjalë për 30.7 miliardë lekë më pak nga janar – tetor 2019.
Në total, eksporti i mallrave në 10 mujorin e vitit 2019 ka qenë 252.1 miliardë lekë, ndërsa deri tetorin e këtij viti, kjo vlerë ra në 221.3 miliardë lekë. Grupi që ka ndikuar më shumë në uljen e eksporteve ka qenë “Tekstile dhe Këpucë”, me 6.2%, grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3.8% dhe “Materiale ndërtimi, metale” me 2.3%.
Nëse flasim për importet, nga 540.6 miliardë lekë në periudhën janar – tetor 2019, vlera ka rënë në 488 miliardë lekë. Thënë kjo në %-je, bëhet fjalë për 9.7% më pak importe, ose 52.5 miliardë lekë më pak nga janar – tetor 2019.
Sa i takon grupeve që ka ndikuar më shumë në uljen e importeve në këtë periudhë, grupi i parë me që ka prodhuar uljen më të madhe vjetore është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me 4%, e më tej grupi “Tekstile dhe këpucë” me 2.2% dhe grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 1.5%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.